Juventusi po mendon për një mini-revolucion në këtë merkato vere që pritet të hapet në 1 qershor. Skuadra e drejtuar nga Masimiliano Allegri ka larguar nga ekipi Chiellinin dhe Dybalan, ndërsa po mendon të sjellë në skuadër 3 lojtarë të rinj, mjaft të njohur.
I pari është Pol Pogba, i cili mund të quhet një rikthim. Francezit i mbaron kontrata me United dhe flitet se ka një akord me Juventusin.
I dyti është Angel Di Maria, i cili këtë sezon nuk ka dhënë aq sa pritej dhe mendon të largohet nga PSG. Gjithashtu dhe ai e pëlqen idenë të luajë në Itali me Juventusin.
I fundit, por jo më pak i rëndësishmi është Ivan Perisiç. Padyshim, një nga lojtarët më të mirë këtë sezon te Interi, për të mos thënë më i miri.
Kroati ka treguar vlerat e tij, jo vetëm në mesfushë, por dhe në mbrojtje e në sulm. Kontrata me Interin skadon dhe ai nuk ka ndërmend të rinovojë duke provuar një aventurë të re. Përflitet se pëlqen të qëndrojë në Itali dhe të firmosë me Juven.